
Pas ndeshjes Jose Mourinho mori përgjegjësinë për humbjen ku nuk mungoi ironia dhe thumbimi ndaj mediave por edhe ndaj disa lojtarëve.
"Janë shumë humbje dhe përgjegjësia është e imja. Kur luajmë mirë dhe fitojmë sipas mediave skuadra është e vetëmenaxhuar dhe ska nevojë për një trajner, kur humbasim përgjegjësi është trajneri. Sot nuk luajtëm mirë dhe sot nuk pati një vetëmenaxhim të lojtarëve, sot jam unë përgjegjësi", deklaroi portugezi.
Më pas tekniku portugez analizon lojën, ku lëshon edhe disa shigjeta indirekte ndaj disa lojtarëve.
"Edhe sikur të kishim barazuar më shqetëson loja në pjesën e parë, e shëmtuar. Në pjesën e dytë dominuam dhe krijuam shumë raste por nuk morëm as minimumin për të qenë të kënaqur. Disa lojtarë luajtën 90 minuta ndaj Barcelonës, duke dhënë maksimumin edhe sot por nuk e kuptoj pse disa të tjerë që ishin në stol ose në tribunë të mërkurën dhe dukeshin të lodhur", u shpreh Mourinho.
Me këto fjalë Mourinho i referohej Sergio Ramos, Di Marias dhe Marcelos të cilët nuk luajtën në El Clasico.