Futbolli italian nuk po gjen paqe. Pas penalizmit të Napolit me 2
pikë, një tjetër skuadër rivale për titullin po sheh re të zeza në
horizont. Bëhet fjalë për Lazion e Tares dhe Canës, që rrezikon deri në 5
pikë penalizim, për shkak të çështjes së hapur, që kapiteni Stefano
Mauri ka me prokurorinë e Cremonas, ku dyshohet për përfshirje në
kurdisjen e dy ndeshjeve të vitit 2011, Lazio-Genoa dhe Lecce-Lazio.
Fillimisht u mendua se vendimet do të merreshin në fund të sezonit, pasi hetuesit kërkuan më shumë kohë në dispozicion, por dosja është kanalizuar në sistemin e drejtësisë dhe muaji shkurt mund të zbardhë të vërteta të hidhura, si për klubin ashtu edhe për mesfushorin Mauri, që është marrë dy herë në pyetje nga Prokuroria në muajin maj të vitit 2012.
Një tjetër klub që rrezikon, është edhe Genoa, sepse Milanetto rezulton i implikuar për kurdisjen e ndeshjes si mysafir në “Olimpico”. Ndeshjet në fjalë u vunë në “ombrellën” e prokurorisë, pas sinjaleve për implikimin e një grupi ballkanas me kreun e saj Ilievski, i cili u vetdorëzua në Itali, për të zbardhur më pas gjithë skemën e kurdisjeve të ndeshjeve. Aktualisht, Lazio renditet në vendin e dytë të klasifikimit me 3 pikë më pak se Juventusi, ndërsa Genoa po lufton për të mos rënë nga kategoria.
No comments:
Post a Comment